Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Ministrja Gërvalla do të përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, do ta përfaqësojë Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës më 29.10.2024.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të mërkurën, më 30.10.2024, duke filluar nga ora 16:00 sipas orës lokale të Kosovës.

Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Ministria ka njoftuar se Gërvalla do të shpalosë arritjet e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e demokratizimit, zhvillimin ekonomik, të drejtat e komuniteteve dhe situatën aktuale në komunat veriore të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, Gërvalla do të flasë edhe për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe sfidat që ato paraqesin për paqen dhe stabilitetin në rajon”- njofton Ministria.