Foto: KALLXO.com

Ministrja e LVV-së: Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA, dhe sipas saj, Albin Kurti do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin strategjik.

Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se Thaçi dhe ish-koalicioni qeveritar PAN e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

Ajo ka përmendur disa nga vendimet nga qeverisja e Thaçit dhe Haradinajt.

Ky reagim ka ardhur pasi që Kurtit së fundi po i bëhet presion i madh për të hequr tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe për paralajmërimet e fundit amerikane për mundësinë e tërheqjes së trupave ushtarake amerikane nga Kosova.

Ky është postimi i plotë i Albulena Haxhiut në rrjetin social “Facebook’. 

Këtë tarifën, që gabimisht menduan se ishte taksë, e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN-it.

Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe “zajednicën”, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013.

Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen më pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë.