Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë për krizën energjetike: Nuk pritet që ky dimër të jetë më i lehtë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur rreth një krize të mundshme energjetike gjatë dimrit të këtij vitit.

Rizvanolli tha se do të jenë me fat nëse dimri i ardhshëm do të jetë sikurse dimri i kaluar duke pasur parasysh varësinë e Kosovës ndaj importit të energjisë elektrike.

“Evropa dhe Kosova janë duke kaluar në një krizë të paprecedent të paparë më herët energjike, e cial është vështirësuar me rastin e luftës në Ukrainë. Nuk pritet që ky dimër të jetë më i lehtë, do të jemi më fat nëse do të jetë i ngjashëm me të kaluarin, po flasim për Evropë mirëpo kjo ka ndikim edhe tek ne, duke e ditur që jemi të varur nga importi”, tha ajo.

Rizvanolli tha se gjatë muajit dhjetor të vitit 2021 dhe janarit të vitit 2022, 40 % e energjisë së konsumuar ka qenë e importuar.

“Ne kemi importuar 40% të energjisë të konsumuar në dhjetor dhe 40% të energjisë të konsumuar në janar, duke përfshirë këtu çmimet rekorde që kanë qenë në atë kohë. Edhe sot çmimet e importit janë mbi normalen”, theksoi Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë tha se Qeveria ka planifikuar të ndajë deri në 15 milionë euro gjatë këtij viti për të nxitur investimet në sektorin e energjisë,

“Kemi planifikuar të ndajmë 10 deri në 15 milionë euro gjatë muajve të ardhshme të cilat do të përdorën për të nxitur investimet në forma më efeciente, siç janë pompat termike dhe sistemet me pelet”, shtoi ajo.

Vendi u përfshi nga një krize energjetike në fillim të këtij viti. Çmimet e importit të energjisë elektrike u rritën në mënyrë drastike ndërsa në vend pati edhe reduktime të energjisë.

Qeveria e Kosovës ndau mbi 100 milionë euro në emër të krizës energjetike.

Ndërkohë Zyra e Rregullatorit të Energjisë mori vendim për vendosje të bllok-tarifave për konsumatorët.