Ministrja e Ekonomisë me llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli-Berisha, në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se pasuri të paluajtshëm ka një banesë 91.8 metra katrorë me vlerë 75 mijë euro, e cila është dhuratë nga prindërit.

Rizvanolli-Berisha gjithashtu ka në pronësi një veturë me vlerë 18 mijë euro, të llojit ‘Renault Kadjar’ të cilën e ka blerë në vitin 2015.

Përveç punës së saj si ministre e Ekonomisë nga 22 marsi i këtij viti, ajo është edhe ligjëruese në Kolegjin Riinvest nga tetori i vitit 2007.

Në të njëjtin kolegj, ministrja posedon 0.41% të aksioneve apo 3 mijë e 93 euro.

Të hyrat vjetore të Artane Rizvanolli-Berishës janë nga paga e mësimdhënëses, ministres, mëditjet-konsulencat, mëditje – pjesëmarrje në bordin mbikëqyrës.

Ministrja ka 191 mijë e 456 euro në llogarinë e saj bankare, prej tyre 2 mijë e 487 euro janë të vendosura në njërën nga institucionet financiare në Mbretëri të Bashkuar.

Ndërsa, bashkëshorti i ministres ka 12 mijë e 486 euro në llogarinë e tij bankare.

Artane Rizvanolli-Berisha është zgjedhur për herë të parë si ministre e Ekonomisë në Qeverinë Kurti 2.