Një nga mbledhjet e qeverisë së Kosovës

Ministrja e Drejtësisë thotë se pagat e sistemit të drejtësisë nuk ulen me vendimin e Kurtit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se sot në mbledhjen e ekzekutivit u shfuqizuan dy vendime, sipas saj, të padrejta që ishin marr nën qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Sipas Haxhiut, vendimi për uljen e pagave në Qeveri nuk prek edhe pagat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese.

“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i- ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, një tjetër vendim i padrejtë që ishte u shfuqizua sot.

“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish- Qeverive, pas mandatit. Këto vendime, janë mesazh i qartë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të vetvetes”, ka shkruar ajo.

Në kohën kur ish-Kryeministri Ramush Haradinaj kishte rritur pagën për vete me vendim të qeverisë, në mënyrë automatike ishin rritur edhe pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo për shkak të Ligjit që parasheh paga ekuivalente për pozitën në ekzekutiv dhe gjyqësor.