Ministrja e Drejtësisë reagon pas hulumtimit të "Kallxo Përnime": Haxhi Dërguti, gjyqtarët dhe secili i përfshirë në skandal të arrestohen menjëherë!

Ministrja e Drejtësisë ka reaguar lidhur me dosjen e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, e cila po transmetohet në emisionin “Kallxo Përnime”.

Një biznesmen po pretendon se i ka dhënë 150 mijë euro për ta zgjidhur lëndën e tij në gjykatë.

“Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë. Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. Pavarësisht që sot është avokat ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para!” – ka shtuar ajo.

Tutje, Haxhiu ka bërë thirrje që qytetratë t’i raportojnë shkeljet në drejtësi dhe i ka bërë thirrje opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi

“Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët” – ka përmbyllur ajo.