Ministrja e Drejtësisë pret dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas lajmit se të premten janë arrestuar 6 persona të përfshirë në rastin e 11-vjeçares në muajin qershor.

Ajo ka bërë disa pyetje publike në Facebook, ndërsa ka kërkuar që të merret përgjegjësi për rastin.

“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë?” – shkroi Haxhiu.

“Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera” – deklaroi ministrja Haxhiu.

Sot gjatë ditës, Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftoi se ka arrestuar 6 persona që lidhen me rastin e 11-veçares. Të dyshuarit ngarkohen me disa vepra penale të cilat pretendohet se i kanë kryer gjatë muajit qershor.

Arrestohen 6 persona, dyshohen për trafikim të 11-vjeçares në qershor

www.kallxo.com