Ministrja e Drejtësisë: Presidenti bëri thirrje për anarki

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë që presidenti do t’i fusë në konflikt qytetarët me Policinë.

Sipas saj, deklarimet e presidentit sot janë të papranueshme dhe presidenti duhet të largohet.

“Ai që ka përdhosur Kushtetutën pothuajse në secilin NEN të saj, del e flet për Kushtetutën! Sipas asaj që kuptova, Presidenti do që qytetarët të futen në konflikt me policinë. Ai bëri thirrje për anarki. Kjo është e papranueshme e sidomos kur kjo vjen nga Presidenti. Ky President duhet të largohet”, ka shkruar ajo në facebook.

Sipas saj vendimi i Qeverisë Kurti për kufizimin e qarkullimit është i ligjshëm.

“Vendimi është i ligjshëm dhe në përputhje me masat kufizuese pra kundër përhapjes së virusit corona dhe për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, ka thënë tutje ajo.

Sot qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.

Ndërsa përmes një konference për media presidenti ka thënë se Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti.