Foto: KALLXO.com

Ministrja e Drejtësisë: KGjK s’ishte në dijeni për rastin e dhunës seksuale në Mitrovicë

Në pjesën e dytë të emisionit “Jeta në Kosovë” u diskutua për pasojat dhe vështirësitë, sidomos për gratë, gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

Albulena Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, në emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka qenë i njoftuar në lidhje me një rast të dhunës seksuale që kishte ndodhur në Mitrovicë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka qenë i informuar për rastin e dhunës seksuale në Mitrovicë. Nuk ka qenë i njoftuar, ashtu është deklaruar. Ndonëse unë pata reaguar si ministre e Drejtësisë për këto raste, duke bërë thirrje që të raportojnë”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo tha se gjatë pandemisë, nga muaji mars deri në javën e dytë të majit, janë shënuar 400 raste të dhunës në familje.

“Gjatë kohës së pandemisë, vetëm në mars prej javës së dytë deri në javën e dytë në fund të muajit maj,  i kemi afër 400 raste që janë raportuar në polici”, shtoi Haxhiu.

Më 5 maj, Policia e Kosovës ka njoftuar se kishte arrestuar tre persona pasi që ishin dyshuar për dhunimin e një gruaje.

Për këto tema po diskutohet me Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, Ramadan Ahmeti – Policia e Kosovës, Adelina Tërshani, autore e teksteve si dhe koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave, Dijana Simiq, aktiviste që punon me viktimat e dhunës dhe Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” .