Ministrja e Arsimit: Të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të fillojnë procesin mësimor në shkolla.

Përmes një reagimi në Facebook, Nagavci tha se janë të gatshëm për dialog me sindikatat, por mësimi duhet të filloj sa më parë.

Sipas saj, ka vetëm një palë të “barrikaduar”.

“Pozicioni ynë legjitim është: Të fillojë mësimi. Shumica e kërkesave të mësimdhënësve janë plotësuar, vazhdojmë dialogun e mirëfilltë social. Pozicioni i drejtuesve të SBASHK: Nuk fillon mësimi para se të plotësoni kërkesën tonë për 100 euro ose për shumën që merremi vesh” – thuhet në reagimin e të parës së Arsimit.

“Sikur çdoherë deri më tani, edhe sot dhe çdo çast jam e gatshme për bashkëpunim. E hapur për rekomandime e kritika konstruktive. E vullnetshme për të punuar në avancimin të pozitës së mësimdhënësve ashtu si dhe në vlerësim e ridizajnim të politikave që shpiejnë në përmirësim të rezultateve” – vijon reagimi i Nagavcit

Në fund, ajo u ka bërë thirrje mësimdhënësve që t’i kthehen punës dhe mos të bëhen, me ose pa vetëdije, pjesë e agjendave të caktuara.

“Andaj, të dashur mësues, mos refuzoni të bëni punën më fisnike, atë të mësimdhënies” – thotë ajo.

“Çdo ditë jashtë klasave, ju bën me vetëdije ose jo, pjesë të agjendave të grupeve të interesit që asnjë interes të përbashkët me ju a me arsimin si fushë nuk e kanë. Përkundrazi, kanë kontribuar në gjendjen që e kemi të gjithë. Mësimi është mbi të gjitha” – thuhet në reagim.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, SBASHK-u tha se greva do të vazhdoj.