Ministrja e Arsimit: SBASHK-u po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ftoj mësimdhënësit nga nesër t’u kthehen shkollave

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka akuzuar SBASHK-un se po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në arsim.

Në një postim në Facebook, ministrja ka theksuar se Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të presidentes Vjosa Osmani e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

Në këtë situatë, ministrja u ka bërë thirrje mësimdhënësve që nga nesër t’u kthehen shkollave.

Tutje, ministrja ka treguar se me me ftesë të Avokatit të Popullit dje bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, janë takuar me Naim Qelajn.

“Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të vazhduar dialogun dhe fillimin e procesit mësimor” – ka theksuar ajo.

“Ndërkohë, sot kemi pranuar një letër nga Avokati i Popullit, zt, Naim Qelaj të cilën e kemi shqyrtuar dhe menjëherë i kemi kthyer përgjigje duke adresuar propozimet e tij” – ka shtuar ajo, duke bërë publike dokumentet.