Ilustrim - Gazi lotsjellës në Kuvend (Mars 2018) - Foto: Atdhe Mulla

Ministrja e Arsimit nuk e pranoi fajësinë për posedim të sprejit në Kuvend

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, A.N, në seancën fillestare që është mbajtur sot, nuk e ka pranuar fajësinë për posedimin sprejit gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur në vitin 2018.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.

Në shqyrtimin e sotëm është lexuar aktakuza nga prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi.

Ministrja e Arsimit, A.N, akuzohet se më 21 mars të vitit 2018, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia, i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj ministres së Arsimit për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Shqyrtimi i dytë për këtë çështje u caktua për t’u mbajtur më 13 korrik 2022.