Ilustrim

Ministrja e arsimit: Mbi 203 mijë prindër e kujdestarë aplikuan për subvencion të materialeve shkollore 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se 203 mijë e 407 prindër apo kujdestarë ligjore kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore për vitin e ri shkollor. 

Të hënën më 2 shtator fillon viti i ri shkollor 2024/2025 ndërsa Nagavci thotë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në koordinim me komunat i ka bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Më 14 gusht është hapur aplikimi për subvencionim me tekste dhe materiale shkollore në platformën e-Kosova. Proceduralisht këtë vit ka qenë shumë më e lehtë sepse prindërit i kanë pasur llogaritë aktive”- ka shkruar Nagavci. 

Tutje ajo ka shtuar edhe se me kohë kanë ndarë edhe katalogun e teksteve tek komunat dhe Drejtoritë Komunale të arsimit tashmë e kanë sjell listën e teksteve të miratuara. Këtë listë, e kemi publikuar edhe në faqe të MASHTI dhe kanë kërkuar edhe nga komunat që ti bëjnë publike listat e teksteve.

“Kanë aplikuar gjithsej 203.407 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 201,120 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar, po ashtu platforma për aplikim po qëdron e hapur”- ka shtuar Nagavci. 

Gjithashtu ajo ka njoftuar edhe se cdo rast i adresuar në numrin e telefonit dhe në email adresën është trajtuar me prioritet dhe u është ofruar ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.

“Ndërkaq, si Ministri nuk kemi pranuar asnjë ankesë Komunat në lidhje me këtë proces. Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor kemi publikuar edhe Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2024-2025”- ka thënë Nagavci.