Ministrja e Arsimit: Javën tjetër dalin datat e testit të maturës dhe arritshmërisë

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami përmes një publikimi në Facebook ka thënë se javën tjetër do të dalin datat e mbajtjes së testimit të arritshmërisë dhe atij të maturës shtetërore.

Sipas Bajramit, rekomandimet nga IKShPK tashmë i kanë pranuar me shkrim.

Sipas Bajramit testi i arritshmërisë do të jetë në fund të qershorit ndërsa ai i maturës në javën e parë të korrikut.

“Për organizimin të testit të arritshmerisë dhe testit të maturës tani kemi marrë rekomandimet me shkrim nga IKSHPK. Javën tjetër do të dalim edhe me data për këto dy teste. Orientimisht, testi i arritshmërisë do të jetë në javën e fundit të qershorit, derisa ai i maturës ne javën e parë të korrikut. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit insiston dhe do të punojë që të kthejë në shkollë maturantët dhe semi-maturantët gjatë qershorit të paktën për dy javë por na duhet leja e MSH dhe IKSHPK”, ka shkruar Bajrami.

Ndërsa rreth organizimit të provimeve universitare, Bajrami ka shkruar se do të vendoset në fund të majit ose në fillim të qershorit.

“Për kthimin në shkollë të maturantëve, semi-maturantëve, organizimit të afatit të provimeve të qershorit do të vendoset në FUND TË MAJIT ose në FILLIM TË QERSHORIT, me kusht që gjithmonë të mbahen maska dhe të ruhet distanca”, ka thënë ajo.

Gjithashtu Bajrami ka thënë se objektet shkollore duhet të dezinfektohen cdo 24 orë dhe do të jetë përgjegjësi e komunave.

“Në takimin që kemi pasur me udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së na është thënë se për kthimin në shkollë duhet të plotësohen disa kushte shtesë. Duhet të dezinfektohet objektet shkollore një herë brenda 24 orëve. Janë 722 shkolla të mesme të ulëta dhe 123 shkolla të mesme të larta. Pra po flasim për 845 shkolla që duhet dezinfektuar çdo 24 orë. Kjo do të jetë përgjegjësi e komunave dhe do të shohim se si ato do të mund ta bëjnë këtë edhe pse duket që është tepër sfiduese”, ka shtuar ajo.