Ministrja Dumoshi premton investime në kulturën dhe sportin e Fushë-Kosovës  

Pavarësisht situatës me pandeminë e COVID-19 dhe mosprocedimit të shumë investimeve kapitale për këtë vit, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka premtuar investime në shumë projekte në kulturë dhe sport në komunën e Fushë-Kosovës. 

Këto premtime ministrja Dumoshi i dha gjatë një takimi që pati sot në kreun e Komunës së Fushë- Kosovës, Burim Berisha. 

Së bashku me kryetarin Berisha,  ministrja Dumoshi ka vizatuar vendin ku parashihen investimet në kulturë dhe sport, te Pishat në Sllatinë, dhe ka inspektuar punimet që janë duke u bërë në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës.  

Më  këtë rast ministrja Dumoshi ka thënë se MKRS do të investojë në ndërtimin e një qendre rekreative  sportive ku parashihet të ndërtohen një fushë futbolli, fusha të tenisi, etj. 

“Në kuadër të këtyre projekteve, është ideja që ai vend ku janë duke u bërë këto investime të shndërrohet në një kompleks, ku pritet të integrohen edhe fushat me bari sintetik dhe fushat e tenisit, për të cilin e sigurova kryetarin Berisha për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha mes tjerash ministrja. 

Ndërsa për Muzeun e Natyrës ka thënë se është projekt – investim tërësisht i MKRS-së dhe kap vlerën e mbi 2 milionë eurove. 

“Bisedova me inxhinierin që i udhëheq punimet, presim një raport për objektin rreth punës të deritashme. Punimet janë duke vazhduar. Jam koshiente dhe e di që ketë vit buxheti që është parapa është shumë pak, diku 230 mijë deri 250 mijë euro. Siç jeni në dijeni ne po kalojmë një gjendje të jashtëzakonshme dhe asnjë investim kapital i këtij viti nuk është proceduar, por asnjë nga këto projekte nuk do të pësojë”, ka thënë Dumoshi. 

Dumoshi ka premtuar edhe mbështetje në fushën e rinisë së Fushë-Kosovës dhe projektet në trashëgimi, ku veçoi Kalanë e Harilaqit duke treguar se MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për këtë vit. 

Ndërkaq kryetari i Fushë- Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se te Pishat në Sllatinë parashihet ndërtimi i një qendre rekreative, sportive e kulturore dhe për 6 vjetët e ardhshme të ketë një sërë investimesh të cilat do të lidhen edhe me Kalanë Harilaqit dhe të Bardhit. 

“Kjo do të jetë një qendër shumë e madhe rekreative, ku do të ndërtohen një fushë futbolli sintetike, fusha tenisi, shtigje për ecje, etj, dhe duke i lidhur edhe me Kalanë e Harilaqeit dhe të Bardhit, do të kemi një vend shumë të përshtatshëm për turizmin”, ka thënë Berisha