Nexhmije Pagarusha

Ministrja Dumoshi ngushëllon familjen Pagarusha

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe sportit, Vlora Dumoshi ka ngushëlluar familjen Pagarusha me rastin e vdekjes së këngëtares, Nexhmije Pagarusha.

“E nderuara familje Pagarusha, me dhimbje dhe pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen nga jeta të dashurës suaj dhe këngëtares sonë të madhe, Nexhmije Pagarushës.  Ndarja nga jeta e Nexhmijes është një humbje e madhe për ju, për miqtë e saj dhe kulturën shqiptare, të cilës ajo i dha shumë vlera dhe dinjitet”, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi dërguar familjes Pagarusha.

Nexhmije Pagarusha me artin e saj muzikor, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi, ka dhënë shumë për kulturën shqiptare, duke e ngritur në një nivel të lartë dhe duke u bërë ikonë e Kosovës moderne e burim frymëzimi për breza të tërë.

Më tej në telegram thuhet se Nexhmije Pagarusha do të mbetet përgjithmonë bilbili i këngës shqipe në Kosovë.

“Nexhmija ka lënë pas vete një trashëgimi të pasur, ndaj të cilës jemi falënderues dhe përballë së cilës kemi përgjegjësi. Shumë këngë të saj janë shndërruar në himn jete për familjet e Kosovës. Ajo me punën dhe kontributin e saj ka sjellë një epokë identitare në fushën e këngës dhe të muzikës shqipe, duke përfituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre të botës muzikore, por edhe më gjerë. Këngët e saj, veçmas “Baresha”, janë kryevepra të artit muzikor. Ne jemi brez me fat që u rritëm me këngët e saj”, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi me rastin e ndarjes nga jeta të ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.