Ministrja Dumoshi kërkon caktimin e lokacionit për shtatoren e Anton Çettës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi  ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës caktimin e lokacionit për vendosjen e shtatores së Anton Çettës.

Këtë kërkesë ministrja Domoshi e bëri gjatë mbledhjes së Asamblesë komunale të Prishtinës.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Dumoshi, e cila është edhe këshilltare në Kuvendin Komunal, ka kërkuar që në mbledhjen e radhës së asamblesë të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çetës.

Ajo ka thënë se për këtë çështje ka folur edhe me kreun e Prishtinës.

“Kosova dhe Prishtina ia kanë borxh Antonit, prandaj sot kërkohet prej nesh, që të miratojmë një vendim për t’ i gjetur vend Antonit në Prishtinë. Kështu e ndreqim një gabim të madh”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një shtatore e Anton Çettës do ta fisnikëron Prishtinën dhe do t’i japë dimension etik kryeqytetit të Kosovës.

Sivjet shënohet 100 vjetori i lindjes së Anton Çettës dhe poashtu 30 vjetori i Lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve.