Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla - Foto: ZKM

Ministrja Donika Gërvalla tregon për gjendjen e saj pas infektimit me coronavirus

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka njoftuar se është në ditët e fundit të karantinës pasi që është infektuar me COVID-19.

“Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ajo ka shtuar që duke u vaksinuar dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e të tjerëve mund të japim kontribute për kapërcimin e kësaj sfide.

“Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën”, ka thënë tutje ajo.

Ministrja pritet të kthehet në punë gjatë javës së ardhshme.
Ndërsa në bazë të raportit ditor sot gjatë ditës është raportuar për 32 persona që e kanë humbur betejën me COVID-19, si dhe janë raportuar 1,612 raste të reja të infektimeve.