Ministrja Bajrami: S’kemi vendosur për vlerësimin e nxënësve online

Ministria e Arsimit po vazhdon me mësimin në distancë që po transmetohet në televizionin publik dhe po ligjërohen lëndët për filloristët.

Megjithatë, një çështje për të cilën ende nuk është marrë vendim është ajo rreth vlerësimit të nxënësve.

Për këtë gjë, Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, deklaroi sot se nuk kanë ardhur deri te momenti kur duhet të konsiderojnë vlerësimin online. Ajo tha se po shpresojnë që vlerësimi i nxënësve të bëhet në shkolla.

“Jemi duke punuar për vlerësimet online, por nuk kemi ardhur deri te pika ku duhet të vendosim për diçka të tillë sepse, sinqerisht, po presim që vlerësimi të mund të bëhet në shkolla”, u shpreh ajo.

Bajrami deklaroi se janë duke ndjekur progresin e mësimit në distancë dhe për këtë është në kontakt edhe me kryetarët e komunave, pasi arsimi primar dhe ai sekondar janë përgjegjësi e komunave, por që janë në dispozicion për t’i ndihmuar.

Ministrja e Arsimit tha se mbetet nën përgjegjësinë e komunave që t’i angazhojnë mësimdhënësit pasi këta të fundit duhet të jenë në kontakt në baza ditore me nxënësit dhe prindërit në mënyrë që të ndiqet edhe angazhimi dhe mbarëvajtja e detyrave të shtëpisë.

“Ju e dini që komunat janë përgjegjëse për arsimin primar dhe sekondar mirëpo ne e kemi marrë këtë kompetencë dhe në fakt për arsimin primar po ofrojmë komplet mësimdhënien, ndërkohë që komunat kanë përgjegjësi që t’i angazhojnë mësimdhënësit e tyre se ata do të jenë  në kontakt në baza ditore me prindërit dhe nxënësit në mënyrë që të përcjellin angazhimin e tyre dhe mbarëvajtjen e detyrave të shtëpisë dhe të tjera”, u shpreh Bajrami.

Kurse, për shkak se nesër, më 9 prill, është festë zyrtare, me rastin e shënimit të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe për faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën festive, MAShTI njoftoi nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së enjte, do të ritransmetohen edhe ditën e shtunë sipas orarit të njëjtë./RTV21

Më 11 mars , Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i mbyllë shkollat deri me datën 27 mars për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19.

Pas kësaj, 12 ditë pasi u mbyllën shkollat, më 23 mars filloi mësimi online apo mësimi nga distanca.

KALLXO.com ka asistuar në mënyrë vullnetare lidhur me realizimin e mësimit nga distanca.

Mësimi po transmetohet në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.