Ministrja Bajrami përsërit: Rimbursimi i Trustit mund të përfundojë në Kushtetuese

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në intervistën përballë Jeta Xharrës ka përsëritur qëndrimin e saj se Ligji për rimëkëmbje ekonomike mund të përfundojë në Kushtetuese.

Amendamenti i cili lejon që vetëm qytetarëve që kanë më pak se 10 mijë euro në Trust t’u bëhet rimbursimi, sipas ministres Bajrami krijon pabarazi sociale.

“Në momentin kur kam diskutuar dhe kam dhënë këtë deklaratë, çështja ka qenë a të rimbursohen të gjithë. Unë mendoj që kjo krijon pabarazi sociale, po ky amendament fillon të implementimet në vitin 2023”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur nëse ky Ligj mund të përfundojë në Kushtetuese, ministrja Bajrami ka thënë se nuk është hera e parë që një ligj shkon në Kushtetuese. “Ne veç e kemi rastin më të freskët, Ligjin për Paga”, tha ajo.

“Ne duhet me gjetë forma që me e zbut këtë pabarazi duke u ndihmu edhe kategorive të tjera të cilët nuk kane fare llogari”, shtoi ajo.

Ministrja Bajrami ka arsyetuar se përse është përdorur vetëm forma e aplikimit online për të marrë 10-përqindëshin nga Trusti.

“Bëhet fjalë për 639 mijë kontributdhënës dhe nuk ka pasur asnjë formë tjetër, jemi në kohën e pandemisë dhe është problematike me bë aplikimin fizik. Aplikimi hapet më 14 dhe çdo 15 ditë kryhen pagesat”, tha ajo.