Ministrja Bajrami: Mobilizimi për mësim online sikur gjatë viteve '90

Tash e disa ditë nxënësit e Kosovës janë duke i ndjekur mësimet e tyre nga distanca, pas mbylljes së shkollave nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami e ka krahasuar angazhimin për zhvillimin e mësimit online me atë të viteve ’90.

“Shpeshherë kur po e diskutojmë në kabinet dhe me aktorë të tjerë që janë të përfshirë në fushën e arsimit, kjo i ka përngja një mobilizimi të viteve ’90-ta, kur ne si Kosovë kemi zhvilluar për një dekadë arsim paralel”, tha Bajrami në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Bajrami po ashtu ka shtuar se rrëzimi i Qeverisë nuk ka ndikuar në punën e saj me zëvendësministrat.

“Aq shumë kemi punë dhe nuk e kemi aty vëmendjen. Ne jemi në detyrë dhe jemi 100 për qind. Nuk është që ka ra vullneti dhe jemi njësoj duke punuar”, ka thënë ministrja.

Emisioni “Jeta në Kosovë” sot është duke trajtuar temën e mësimin gjatë pandemisë.