Foto: Ministria e Financave/Facebook

Ministrja Bajrami kërkon që të shpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara me BERZh-in

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka pritur në takim drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në Kosovë, Neil Taylor, me të cilin ka diskutuar për programin e Qeverisë Hoti, me theks të veçantë për planet e qeverisë për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, pas pandemisë COVID-19.

Gjatë takimit Ministrja Bajrami e njoftoi drejtorin e BERZh-it për Kosovë, Nil Taylor, për përgatitjen e rishikimit të buxhetit si dhe përshtatjen e tij me programin e Qeverisë Hoti ku përfshihet edhe krijimi i programit për rimëkëmbje ekonomike.

Ajo gjithashtu falënderoi drejtorin e BERZh-it për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ministrinë e Financave në projektet e përbashkëta në funksion të forcimit të ekonomisë së Kosovës dhe kërkoi intensifikimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy institucioneve.

Nga ana e tij, drejtori i BERZh-it në Kosovë, uroi ministren Bajrami për pozitën e re dhe shprehu gatishmërinë e BERZh-it për thellimin e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave në projekte të përbashkëta, në përmirësimin e infrastrukturës së vendit dhe fuqizimin e sektorit privat.