Ministrja Bajrami flet për zhdukjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një konferencë të jashtëzakonshme ka dhënë detaje për zhdukjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Buxhetit të Kosovës.

Bajrami tha se bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që kanë shkuar tek një Operator Ekonomik.

“Deri më tani janë suspendu dy zyrtarë dhe njëri prej tyre është arrestu.  Ne tani kemi gjurmuar, është një transaksion bankar dhe është duke u hetuar se kush është përfitues i këtij transaksioni. Është keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim i autorizimeve ligjore të cilat i ka pasur zyrtari dhe institucionet po e bëjnë maksimumin që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”, tha Bajrami para gazetarëve.

Ajo deklaroi se është një rast i izoluar me të cilin  po merret Ministria e Financave dhe organet e tjera, ndërsa po gjurmohet pasi është transaksion bankar.

“Kemi edhe një kërkesë nga Prokuroria e rastit që të mos japim më shumë informacione, se as kush është operatori ekonomik që ka përfituar, pasi mund të dëmtojmë hetimet”, tha ministrja Bajrami.

Ndërsa sot Policia njoftoi se  gjatë një aksioni i cili është zhvilluar mbrëmë në Prishtinë një person është dërguar në mbajtje, pasi që i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës duke transferuar para në vlerë 2,077,995.90 milionë euro.

Pas hetimeve të policisë dy persona të tjerë gjenden në arrati.

“Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit”, thuhet në raportin policor.

Policia jep detaje për arrestimin e të dyshuarit për keqpërdorim të 2 milionë eurove të thesarit shtetëror