Foto: Hykmete Bajrami/Facebook

Ministrja Bajrami flet për rënien ekonomike për shkak të pandemisë

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Transfere ku po bëhet shqyrtimi në parim i Projektligjit për Buxhetin, ka folur për rënien ekonomike për shkak të pandemisë.

Bajrami theksoi se zhvillimet e muajve të fundit dhe të tanishmet do të kenë efekte në ekonomi, nga konsumi e deri te eksportet.

“Në vitin 2020 ne presim të kemi një rënie ekonomike prej minus 3 për qind në terma real. Megjithatë ne presim që rritja ekonomike të kthehet në trendin pozitiv në vitin 2021 që do të jetë rreth 5.4 për qind dhe në vitin 2022 presim rritje ekonomike prej 4.2 për qind”, tha ajo.

Ministrja shtoi se përkundër rritjes së kufirit të deficitit me vendim të Kuvendit, rënia e madhe e të hyrave e vlerësuar në 232 milionë dhe nevoja për financim të programit për rimëkëmbje ekonomike, i ka imponuar që të ndërmarrin kursime të konsiderueshme te shpenzimet tjera.

“Këto kursime ndikojnë proporcionalisht te të gjitha institucionet. Nuk kemi lakuar asnjë projekt nga buxheti fillestar i vitit 2020, por alokimet për ato projekte janë zvogëluar për t’i mundësuar kursimet. Dhe kursimet e identifikuara është planifikuar të kthehen në dy periudha: e para varësisht nga dinamika e punëve për implementimin e projekteve dhe e dyta, përmes buxhetit të vitit 2021 do të sigurohemi që mjetet e kursyera do tu kthejhen në tërësi organizatave buxhetore dhe projekteve të parapara”, tha ajo.

“Ajo çfarë ne kemi planifikuar me fondin për rimëkëmbje ekonomike është që të marrim  edhe 100 milionë euro shtesë nga agjencia e privatizimit dhe për këtë po na duhet që të ndryshojmë ligjin. Në fakt 50 milionë euro mund t’i marrim pa e ndryshuar ligjin, ndërsa për marrjen edhe të 50 milionë ekstra na duhet të ndryshojmë ligjin”, tha mes tjerash ajo.

Qeveria po kërkon rishikimin e buxhetit për të implementuar fondin për rimëkëmbje ekonomike për shkak të COVID-19.