Ministrja Bajrami dhe deputetja Kusari-Lila polemizojnë në komision parlamentar

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila kanë polemizuar gjatë mbledhjes së sotme të Komisonit për Buxhet dhe Transfere ku po shqyrtohet ndryshimi për buxhetin 2020.

Fillimisht Kusari-Lila ka kritikuar qeverinë për mungesë të strukturës ekonomike edhe në raport me gjendjen nga pandemia.

“Poenta ime ishte që të marrin mësimin e njëjtë sikur vendet tjera që përmes pakos emergjente të orientohet struktura  e ekonomisë. Nga ajo çfarë dëgjova është që me fondin për garancionin e kredive por jo domosdoshmërisht do ta orientoni sektorin privat. Nuk kam dëgju që është mbledh këshilli për zhvillim ekonomik”, tha ajo.

Kurse, ministrja Bajrami i tha se e ka ndryshuar qasjen nga koha kur është votuar buxheti më 5 mars, në kohën e Qeverisë Kurti,

“Po m’pelqen disponimi yt, por edhe ke ndryshuar komplet qasjen sepse kur është votuar buxheti më 5 mars 2020 nuk i ke pas kritikat e tilla. Bile atëherë kur kemi qenë në krizën e tillë pandemike dhe ekonomike në të cilën gjendemi deri sot. Po pajtohem me ty dhe kisha pas dëshirë që të kemi një strukturë tjetër ekonomike”, tha ajo.

Më pas reagoi deputetja Kusari-Lila duke thënë se deklarimet e ministres janë të pasakta.

“Më 5 mars kur është miratuar buxheti i vitit 2020 s’kemi pas buxhet fare. Kalimi i buxhetit dhe i rishikimit nuk janë procese të njëjta. Midis asaj çka ka ndodhë më 5 mars dhe kësaj tash është një mal me ndryshime. Kemi përshkallëzim të situatës”, tha deputetja.

Ndërkaq, Bajrami tha se asnjëra nga ato që ka thënë nuk është pasaktësi.

“Asnjëherë në jetën time nuk flas me pasaktësi. Deklarata juaj që situata më 5 mars ka qenë shumë më urgjente sesa sot. Unë mendoj që nuk qëndron, të paktën jo nga pikëpamja ime dhe nga aty ku unë e kam përgjegjësinë”, theksoi ministrja.