Ministrja austriake jep dorëheqjen pas skandalit të plagjiaturës

Ministrja austriake Christine Aschbacher ka dhënë  dorëheqjen nga posti i saj në krye të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Rinisë, pas akuzave se disa prej punimeve të saj universitare ishin plagjiaturë, raporton The Guardian.

Zyrtarja e partisë OeVP të kancelarit Sebastian Kurz, Aschbacher tha se ajo ishte larguar për të “mbrojtur familjen”, duke u ankuar për “armiqësi, agjitacion politik dhe sulme … me forcë të padurueshme”.

Teza e masterit e Aschbacher e vitit 2006 përmban plagjiaturë, citime të pasakta dhe mungesë njohurie të gjuhës gjermane, shkroi blogeri Stefan Weber, i cili është i specializuar në “gjahun” ndaj mashtrimit akademik.

Në atë kohë, ajo u diplomua me nota të larta në Universitetin e Shkencave të Zbatuara në Wiener Neustadt, në jug të kryeqytetit austriak Vjenë.

Weber ka hedhur të njëjtat akuza në një tezë që ajo paraqiti në maj të vitit të kaluar në Universitetin Teknik të Bratisllavës në Sllovakinë fqinje.

Ai pretendoi se punimi përmbante plagjiaturë dhe se më shumë se një e pesta e tekstit ishte marrë nga burime të tjera pa citime, veçanërisht një artikull nga revista Forbes.

Në Gjermani, dy konservatorë, Karl-Theodor zu Guttenberg dhe Annett Schavan, u larguan nga ministritë e Mbrojtjes dhe Arsimit në 2011 dhe 2013 për skandale të ngjashme, ndërsa ministrja aktuale i Familjes, Franziska Giffey, është ndjekur nga akuzat për plagjiaturë për vite.