Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrit Rashiq i hakohet llogaria e Facebook-ut

Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i është hakuar llogaria në profilin e tij në Facebook, derisa thotë se janë hapur edhe profile false në emrin e tij.

Në një prononcim për KALLXO.com, Rashiq, ka thënë se kohëve të fundit është duke u përballur me sulme të vazhdueshme kibernetike në rrjetet e tij sociale. 

Sipas tij, njëra prej adresave prej nga vijnë këto sulme, është lokalizuar në Rajonin e Rashkës dhe në Klinë. 

“Po, kjo është dita e tretë, hera e parë ka qenë para dy-tre ditëve, bile disa profile prej Rajonit të Rashkës deri në Klinë”- ka thënë Rashiq për KALLXO.com. 

Rashiq thotë se përveç disa llogarive të tij personale, është hakuar edhe llogaria e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. 

Ai pretendon se këto veprime ndaj tij, po bëhen me qëllim të pengimit të procesit të zgjedhjeve. 

“Është një organizim masiv më duket që  të na pengojë gjatë procesit të zgjedhjeve, për ne kjo nuk është asgjë e re, por kësaj radhe është shtuar si shumë”- ka thënë Rashiq, sot më 08.02.2025.

Për këtë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës dhe ështëv në pritje të një përgjigje zyrtare.