
Ministrit Çeku i refuzohet vizita në Preshevë, politikanët atje e quajnë ‘akt izolimi ndaj shqiptarëve’
Politikanët e Luginës së Preshevës, Ardita Sinani dhe Ragmi Mustafi, kanë reaguar pasi autoritetet në Serbi, kanë refuzuar “në minutën e fundit” vizitën e ministrit të Kosovës për Kulturë, Hajrulla Çeku, në Preshevë.
Nga kryetarja e Preshevës dhe nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, një gjë e tillë është cilësuar si akt izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës.
Duke e quajtur “refuzim të minutës së fundit”, Sinani ka thënë se më 19 dhjetor në orën 12:30, ishte planifikuar vizita e ministrit Çeku.
“Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit”- ka shkruar Sinani në Facebook.
Sipas saj, ky veprim është një tjetër dëshmi e tentativave për të izoluar shqiptarët e Preshevës, duke penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional.
Në anën tjetër, Ragmi Mustafi ka thënë se refuzimi për vizitën e ministrit Hajrulla Çeku në Preshevë nga autoritetet serbe, është një tjetër përpjekje për të izoluar shqiptarët dhe për të ndërprerë shkëmbimin kulturor mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës.
“Por askush nuk mund ta ndalë frymën e bashkëpunimit dhe të solidaritetit mes shqiptarëve kudo që ndodhen”- tha ai.
Mustafi shtoi se izolimi dhe pengesat “nuk mund ta zhbëjnë lidhjen tonë historike, kulturore dhe njerëzore”.
“Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të kenë gjithmonë mbështetjen edhe të Kosovës”- përfundoi ai.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës dhe Sanxhakun për vitin 2025. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022, në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, duke përbërë pakicën e katërt më të madhe atje. Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin paraprak më 2011, për shkak të, siç u tha atëkohë, obligimeve të paplotësuara të shtetit serb ndaj tyre dhe kushteve diskriminuese.
Mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej autoriteteve të atjeshme serbe.
Kjo nënkupton se ata nuk mund t’i përtërijnë dokumentet e tyre të identifikimit, ose të ushtrojnë të drejtat e tyre që kërkojnë letërnjoftimet, si votimi. Kjo ka shkaktuar një mori protestash në rrugë gjatë muajve të fundit të vitit 2024.