Ilustrim

Ministria ua ndalon zyrtarëve të saj t'i ndihmojnë bujqit në plotësimin e aplikacioneve për subvencione

Ministria e Bujqësisë ka marrë vendim që të gjithë zyrtarët e kësaj Ministrie të mos marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve, apo pjesëve të aplikacioneve, për bujqit që aplikojnë për grante dhe subvencione nga kjo ministri për vitin 2020.

Sipas njoftimit, të bërë nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ky vendim është marrë në mënyrë që të ndalohet konflikti i interesit dhe mundësitë e keqpërdorimeve si dhe për të rritur transparencën, mbrojtjen e të drejtave të bujqve dhe trajtimin e barabartë të tyre.

Të gjithë zyrtarët e e MBPZhR-së do të nënshkruajnë një deklaratë nën betim për evitimin e keqpërdorimeve.

“Për të ndaluar konfliktin e interesit dhe mundësitë e keqpërdorimeve si dhe për të rritur transparencën, mbrojtjen e të drejtave të bujqve dhe trajtimin e barabartë të tyre, kam nxjerrë sot vendim që u ndalon të gjithë zyrtarëve të MBPZhR-së në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të marrin pjesë në përgatitjen e aplikacioneve, apo pjesëve të aplikacioneve, për bujqit që aplikojnë për grante dhe subvencione nga kjo ministri për vitin 2020. Të gjithë zyrtarët e MBPZhR-së, tash e tutje, janë të obliguar që të nënshkruajnë deklaratë nën betim për evitim të konfliktit të interesit dhe vet e kam nënshkruar i pari deklaratën”, ka shkruar Mustafa.