Ministria tërheq pëlqimin mjedisor për gurthyesin në Kusar të Gjakovës

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka tërhequr pëlqimin mjedisor për gurthyesin në fshatin Kusar të Gjakovës.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, ministri i MMPH, Fatmir Matoshi, i cili ka thënë se sot komisioni i ministrisë ka rekomanduar që ky pëlqim mjedisor të tërhiqet.

“Po, sot komisioni vlerësues në MMPH ka rekomanduar që ta tërheqim pëlqimin mjedisor. Tashmë me këtë janë duke u marrë zyrtarët ligjorë brenda ministrisë dhe nesër do të dalim me një vendim të fundit”, ka deklaruar Matoshi.

Sipas Matoshit, ky pëlqim mjedisor është tërhequr fillimisht nga komuna e Gjakovës dhe tashmë edhe MMPH ka vepruar njëjtë.

Banorët e fshatit Kusar të Gjakovës kanë kundërshtuar disa herë shkatërrimin e natyrës në këtë fshat nga kompanitë e gurëthyesve.

Sipas tyre, kompania nuk ka leje apo pëlqim nga komuna e Gjakovës për ndërtimin e këtij biznesi.

Ndërsa, në muajin maj kompania “Alko-H&S”, pasi ishte pajisur me pëlqime nga komuna e Gjakovës dhe Ministria e Mjedisit dhe kishte marrë lejen nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), kishte filluar ndërtimin e gurthyesit në këtë fshat.

Këto pëlqime mjedisore janë tërhequr fillimisht nga komuna e Gjakovës dhe tashmë edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka vepruar njëjtë.

Fshati Kusar i cili gjendet rreth 5 kilometra larg qytetit të Gjakovës, është shpallur zonë me interes të zhvillimit turistik, pasi përveç peizazhit të bukur, në këtë fshat gjenden dhe disa shpella natyrore.

Banorët e Kusarit kundër shkatërrimit të natyrës nga gurëthyesit – VIDEO

Banorët e fshatit Kusar vazhdojnë protestat kundër gurthyesit