Ish-drejtuesit e Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, majtas, dhe Vladimir Lazareviq, të dy të dënuar nga Gjykata e Hagës. Foto: BETA.

Ministria serbe promovon kriminelët e luftës në Panairin e Librit në Beograd

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë po përdor Panairin e Librit të këtij viti në Beograd për të promovuar një libër nga një ish-gjeneral i Ushtrisë Jugosllave i cili u dënua për krime lufte dhe për të organizuar një event ku marrin pjesë edhe dy kriminelë të tjerë lufte.

Ministria serbe e mbrojtjes organizoi një event në Panairin e Librit në Beograd të premten për të promovuar një libër të ri nga ish-oficeri i lartë i Ushtrisë Jugosllave Nebojsa Pavkoviq, i cili aktualisht po vuan dënimin me burg për krime lufte në Kosovë.

Ajo do të zhvillojë një debat në Panairin e Librit të premten në lidhje me bombardimin e NATO-s të Jugosllavisë, me pjesëmarrës ku përfshihen edhe dy burra të tjerë që janë dënuar për krime lufte, Vladimir Lazareviq dhe Vinko Pandureviq.

Shtëpia botuese e ministrisë, Odbrana, botoi librin më të ri të Pavkoviqit, “Erë e barutit dhe vdekjes në Kosovë dhe Metohi 1998”, si pjesë e serisë së tij “Ratnik” (“Luftëtari”). Vitin e kaluar, ajo nxori një libër tjetër të Pavkoviqit, i cili gjithashtu u promovua në Panairin e Librit.

Ministria tha se ishte “krenare” të promovonte librin e Pavkoviqit dhe të priste dy kriminelët e tjerë të luftës, duke argumentuar se “ata kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre për ngjarjet historike në të cilat morën pjesë”, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

“Kujtimet e gjeneral Nebojsa Pavkoviq, si dhe të komandantëve dhe luftëtarëve të tjerë të botuar në ‘Ratnik’, kontribuojnë në shumë mënyra në të vërtetën për luftën gjatë agresionit të NATO-s (bombardimi i Jugosllavisë). Ne nuk shohim ndonjë arsye për t’u turpëruar nga lufta e njerëzve tanë dhe atyre që e udhëhoqën atë luftë”, shtoi ajo.

Por OJQ-ja në Beograd Fondi për të Drejtën Humanitare e akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se “po tallet hapur me viktimat e krimit” duke promovuar dhe financuar librat dhe eventet në Panairin e Librit.

Ajo gjithashtu akuzoi ministrinë se po mohon faktet e përcaktuara nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë.

“FDH i bën thirrje institucioneve serbe që të ndalojnë promovimin dhe rehabilitimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndjekin një politikë që pranon faktet e përcaktuara dhe të marrë parasysh vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre”, tha ajo në një deklaratë.

Gjykata e Hagës vendosi në janar 2014 që Pavkoviq dhe Lazareviq, së bashku me ish-kryeministrin jugosllav Nikola Sainoviq dhe ish gjeneralin e policisë serbe Sreten Lukiq, ishin fajtorë për vrasjen, deportimin dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Pavkoviq është ende duke vuajtur dënimin e tij me 22 vjet burg në Finlandë.

Lazareviq e përfundoi dënimin e tij dhe u kthye në Serbi, ku u mirëprit si hero. Në vitin 2017, ai u emërua pedagog në Akademinë Ushtarake Kombëtare.

Pandureviq është një nga pesë zyrtarët e lartë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të cilët u dënuan për përfshirje në gjenocidin e Srebrenicës. Ai u dënua me 13 vjet burg, por fitoi lirim të parakohshëm në prill 2015.