Ministria pezullon procedurën e dezinfektimit të mauneve dhe kamionëve në pikat kufitare

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka njoftuar se ka pezulluar kontratën për dezinfektimin e mauneve në pikat kufitare.

Sipas njoftimit, maunet nuk kanë nevojë më të dezinfektohen si masë parandaluese ndaj pandemisë COVID-19.

“Pezullohet kontrata për dezinfektimin e mauneve që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së COVID-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunet në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e MPBAP.

Nga sot, të gjithë kufijtë tokësorë të Kosovës janë rihapur, pas vendimit i cili është marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Pikat kufitare që janë hapur sot janë pikat kufitare në Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.

Por, secili kamion i cili hyn përmes këtyre pikave kufitare në Republikën e Kosovës do të bëjë një pagesë, me qëllim të dezinfektimit të automjetit, si masë parandaluese nga COVID- 19.

https://kallxo.com/lajm/svecla-konfirmon-pagesen-qe-kamionet-bejne-ne-hyrje-te-kufijve-me-qellim-te-dezifektimit/