Ministria: Pacientët do të qëndrojnë në vetizolim për një kohë para operacionit

Sipas planit gradual për rikthim të shërbimeve pritet që nga 1 qershori të kthehen edhe operacionet joemergjente, të cilat kanë qenë të ndaluara për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto shërbime do të kthehen ndërsa pacientët do të duhet t’u përmbahen masave mbrojtëse, mbajtje maskash për pacientët dhe shoqëruesit, caktime terminesh dhe ruajte e distancës, dezinfektim të institucioneve e shumë masa të tjera.

“Ata që kanë nevojë për shërbime që kanë natyrë invazive do të hulumtohen nga aspekti epidemiologjik, do të shikohet pasqyra klinike dhe nëse ka dyshime për COVID-19 do të testohen”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për KALLXO.com.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacientët që do t’u nënshtrohen operacioneve do të duhet të qëndrojnë në vetizolim për një kohë para operacionit.