Arkiv- Kartëmonedha euro - Foto: REL/AFP

Ministria ndan buxhet deri më 28 shkurt dhe tregon nga cila datë rrezikohen pagat dhe pensionet

Ministria e Financave ka bërë të ditur se e ka dorëzuar në Qeveri propozimin e buxhetit për vitin 2020, mirëpo rrethanat politike dhe ligjore e kanë pamundësuar aprovimin e projektligjit.

Ky dikaster ministror thotë se ka alokuar mjete për organizatat buxhetore edhe për dy muaj nga buxheti i vitit të kaluar.

Ministria e Financave thotë se në muajin tetor e ka dorëzuar propozim-buxhetin për vitin 2020, mirëpo për shkaqe politike dhe ligjore nuk ka mundur ta aprovoj Projektligjin për buxhetin.

“Në përputhje me kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive (LMFPP), Neni 22 (par.1), pas procesit të zakonshëm të pranimit të kërkesave buxhetore, në pajtim edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, me datën 31 tetor 2019 Ministria e Financave e ka dorëzuar në Qeveri propozim buxhetin për vitin 2020. Për shkaqe të njohura politike dhe ligjore, Qeveria nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgoj në Kuvend, për shkak se Kuvendi nuk ka ekzistuar. Ky propozim-buxhet mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re tek Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare.”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë.

Tutje thuhet se në pajtim me autorizimet ligjore, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020, ose 16.67% e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri më 28 shkurt 2020, pasi është plotësuar kushti sipas nenit 24, paragrafi 1a i LMFPP, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP.

Sipas Ministrisë, në pajtim me nenin 24, paragrafi 2 i LMFPP, vetëm Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020.

Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.

Pas datë 31 mars nuk mund të bëhet asnjë pagesë apo shpenzim në përjashtim të borxhit publik.

“Pas kalimit të afateve të lartpërmendura (28 shkurt, përkatësisht 31 mars), sipas kufizimeve të LMFPP, përkatësisht nenit 24, paragrafi 3, nëse ndarjet e lartpërmendura kanë skaduar dhe Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore nuk është miratuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. Megjithatë, Ministria dhe Thesari janë të autorizuara që të bëjnë pagesa për larjen e një borxhi publik i cili është marrë në mënyrë të ligjshme sipas Pjesës IX të këtij ligji, në kohën kur ato pagesa maturohen”, thekson Ministria.

Ministria tregon se pas kësaj date, nëse nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nuk do të ketë as paga e pensione.

“Pra, në situatën kur nuk miratohet ligji i ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri tek shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha obligimet tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars (nëse ka vendim nga Kuvendi) dhe nga Thesari i Kosovës do të lejohen vetëm pagesat për borxhin publik mund të realizohen sipas afatit të pagesës, në pajtim me LMFPP, neni 24, paragrafi 3.”, tregon Ministria.

Ministria sqaron se sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se Qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje, dhe më tepër, projektligjin e buxhetit i cili përveç tjerash është edhe dokument politik i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (Komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e Qeverisë.

Me këtë njoftim Ministria e Financave ka dalë me qëllim të paraqitjes së pozicionit zyrtar të Ministrisë së Financave, përkatësisht qartësimit të disa dilemave të paraqitura në publik nga deklarime apo qëndrime individuale.