Ministria ndaloi qarkullimin e autobusëve urban në Prishtinë, Shpend Ahmeti i pakënaqur

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërprerjen e transportit publik në krejt Republikën e Kosovës, menjëherë.

Sipas Ahmetit vendimi për ndërprerje e menjëhershme transportit publik është bërë pa asnjë konsultim me komunën .

“Përderisa kemi qenë përkrahës kryesorë të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Sipas kreut të Prishtinës, ndërprerja e menjëhershme ka kosto si dhe ndikim tek qytetarët që përdorin transportin publik

“Ky vendim përveç kostos, ka ndikim në qarkullimin e njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër, duke ditur që në Prishtinë ende funksionojnë institucionet publike, institucionet shëndetësore e edhe disa kompani. Ndoshta ky vendim do të ishte i domosdoshëm, por ndërprerja e menjëhershme pa kurrfarë mundësie që të planifikojmë më mirë edhe si logjistikë edhe si kosto nuk ka nevojë të behet”, ka shkruar tutje ai.

Ahmeti ka insistuar që ‘Koordinimi me krejt institucionet është i domosdoshëm. Jemi të gjithë ushtarë në një betejë’.

Dhe në fund kreu i Prishtinës ka pasur një sugjerim për pakon emergjente.

“P.S. besoj qe Qeveria do të shtojë edhe disa miliona subvencione për kompanitë e transportit publik në krejt Kosovën”, ka shkruar ai.

Numri i të prekurve nga coronavirusi nëKosovë është 108.