Ministria kërkon shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e kryeshefit të “Infrakos”-it

Ndërmarrja publike “Infrakos” i ka kryer të gjitha procedurat për zgjedhjen e kreshefit ekzekutiv. Por, një interpretim ligjor nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka konstatuar se procedurat e konkursit për zgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv në “Infrakos” janë shkelur.

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të “Indrakos” hapi këtë konkurs duke shpërfillur një shkresë të ish-ministrit të MZhE-së, Blerim Kuçi.

KALLXO.com kishte raportuar se ish-ministri Kuçi në vazhdimësi kishte kërkuar pezullimin e konkurseve publike pasi ato ishin hapur nga borde të përkohshme. Madje, udhëheqësja e Njësisë për Politika dhe Monitorim  të Ndërmarrjeve Publike, Fikrije Buzuku- Fejza, ishte shkarkuar nga kjo pozitë pasi kishte refuzuar që t’ua kërkojë bordeve në atë kohë pezullimin e konkurseve për pozita të larta brenda ndërmarrjeve publike.

Por, edhe përkundër këtyre shkresave, konkurset publike në disa prej ndërmarrjeve publike për pozita të larta janë hapur.

Se procedurat për zgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv në “Infrakos” janë zhvilluar e ka konfirmuar edhe kryesuesi i bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje, Brahim Selimaj.

Ai ka thënë se Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike nuk ka çfarë të përzihet.

“Është mbajtë testi, është mbajtë intervista tash vec e publikikojmë. Janë mbajtë të gjitha procedurat, aty nuk ka çka monitorimi me u përzi as kurrkush sepse aty është një bord profesionist i cili e di çka është ekonomia edhe ua këput boshtin të gjitha keqpërdorimeve edhe për as politikë as për kurrkënd derisa të jem unë në krye të bordit. Atyre që u dhemb diçka, unë nuk merrem me ta. Kryeshefi do të zgjidhet sot ose nesër”, ka deklaruar Selimaj për KALLXO.com.

Por, ndryshe është vlerësuar nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike.

Në një interpretim ligjor, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet që janë bërë disa shkelje të procedurave të konkursit.

Mes disa arsyeve procedurale, në shkresën e Njësisë thuhet se zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv duhet të bëhet nga një bord i rregullt e jo nga një bord i përkohshëm i drejtorëve.

“Pas administrimit të të dhënave dhe konsultimit me dispozitat e ligjit për ndërmarrje publike dhe udhëzimit administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, në këtë proces shihet tejkalimi i afateve ligjore të përcaktuara qartë. Si rrjedhojë, me këtë udhëzim administrativ janë përgjegjëse organet përkatëse të sektorit publik për zbatimin e procedurave të konkursit. Mbështetur në këtë, bordi i përkohshëm i drejtorëve është dashur të rezervohet nga përzgjedhja e KE-së meqë pozita e KE-së është pozita më e rëndësishme në ndërmarrje dhe nuk u takon që ta përzgjedhin si person të gatshëm për implimentim të strategjisë të definuar nga bordi”, thuhet në shkresën që Njësia për Monitorim ia ka dërguar bordit të “Infrakos”-it.

“Ky bord nuk kemi njohuri që ka sjellë apo ka rishikuar strategji me vetë faktin për mandatin me kohëzgjatje që ka. Për më tepër, me vendim është caktuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë kompani, me mandat të udhëheq menaxherët e lartë dhe kështu në mënyrë kolektive, të menaxhoj ndërmarrjen me qëllim të implementimit të planit të biznesit, deri në përzgjedhje të KE-së që duhet të bërë nga bordet me mandat të përhershëm dhe të plotë”, thuhet në interpretimin ligjor që e ka siguruar KALLXO.com.

Në fund është nxjerrë edhe konstatimi që mos të zgjidhet kryeshefi në këtë ndërmarrje publike.

“Nga kjo që u tha më lartë, rezulton që gjatë procedurës nuk janë respektuar afatet, prandaj në cilësi të aksionarit jemi të obliguar të kërkojmë nga bordi i përkohshëm shfuqizimin e vendimit të përzgjedhjes të kryeshefit ekzekutiv, mbi bazën e arsyeve të cekura si më sipër”, thuhet në shkresë.

Ministria e Ekonomisë me standarde të dyfishta, lejon Bordin e përkohshëm të zgjedh kryeshefin e Postës

www.kallxo.com