Derivatet e naftës, Ilustrim: Pixabay

Ministria e Tregtisë vendos marzhën për produktet e naftës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka caktuar marzhën për shitjen e produkteve të naftës për 30 ditët e ardhshme.

Çmimi për shitjen me shumicë do të jetë 2 centë për litër, e me pakicë 12 centë për litër.

MINT thotë se ky vendim vjen pasi që kanë evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse” – thuhet në njoftimin e MINT më 03.08.2024.

Këtë vendim Ministria thotë se e ka bazuar në nenet 4 paragrafi 1.1 dhe 1.2. të U/A Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse.

Po ashtu është bërë e ditur se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ditëve në vijim do të intensifikojë mbikëqyrjen e tregut edhe sa i takon cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës.