Ministria e Tregtisë shfuqizon vendimin për pezullimin e ndërtimit të hidrocentraleve

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka nënshkruar vendimin përmes të cilit ka shfuqizuar urdhëresën e mëparshëm të këtij dikasteri, ku ndaloheshin ndërtimet e hidrocentraleve deri në kalimin e pandemisë

KALLXO.com ka siguruar vendimin e MTI-së, i cili hyn sot në fuqi.

“Shfuqizohet urdhëresa me numër të protokollit 1740, e datës 12.04.2020 për ndryshim dhe plotësimin e Urdhëresës MEPTINIS NR. 001/05, të datës 23 mars 2020 për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike gjatë emergjencës së shëndetit publik”, thuhet në vendim.

KALLXO.com gjithashtu posedon komunikimin në mes të IKSHPK dhe OE ku tregohet se asnjëherë IKSHPK nuk e ka rekomanduar ndaljen e punimeve te hidrocentraleve

Më 12 prill, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësish dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) e cila udhëhiqej nga Rozeta Hajdari e Lëvizjes Vetëvendosje, kishte urdhëruar ndaljen e të gjitha punimeve ndërtimore që ndikojnë në burimet ujore.

Kjo urdhëresë nuk do të ndalë punën e hidrocentraleve që tashmë operojnë. Kjo urdhëresë ishte derisa të kalojë pandemia e COVID-19.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.