Ilustrim

Ministria e Tregtisë: Qytetarët të cilët janë ankuar ndaj “VisaMetric” do të rimburosohen

Ministria e Tregtisë ka njoftuar se kanë vendosur në favor të qytetarëve të cilët janë ankuar ndaj shërbimeve dhe pagesave të realizuara në llogari të “VisaMetric” në emër të shërbimeve për aplikim për Visa Schengen për Gjermani.

Inspektorati i Tregut ka shqyrtuar ankesat nga konsumatorët dhe ka inspektuar edhe “VisaMetric” në Prishtinë.

“Inspektorati i Tregut në MINT ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e operatorit ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve, që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e MINT.

Kjo ministri ka inkurajuar qytetarët të raportojnë çdo rast kur ata vlerësojnë se po kryejnë pagesa të paarsyeshme.

“Duke marrë parasysh se mund të ketë numër të madh të qytetarëve/konsumatorëve që kërkojnë shërbime për aplikim për Viza Schengen te operatorët ekonomikë, e kur realizojnë edhe pagesa të cilat i konsiderojnë se mund të jenë të paarsyeshme apo edhe në rastet tjera që i vlerësojnë si shkelje të të drejtave të tyre, i inkurajojmë qytetarët që gjithherë të drejtohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit”- vazhdon njoftimi i Ministrisë.

Që nga shtatori Ambasada gjermane në Kosovë kishte njoftuar se terminet e vizave Schengen për udhëtim në Gjermani mund të rezervohen përmes ofruesit të jashtëm të shërbimit VisaMetric.