Ministria e Tregtisë paralajmëron inspektime për ata nuk i respektojnë vendimet e qeverisë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), pas vendimit të qeverisë ka filluar zbatimin masave shtesë inspektuese.

“MEPTINIS i bënë thirrje të gjitha bizneseve që t’i zbatojnë masat që janë ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës dhe njëkohësisht kërkon nga organet ligj-zbatuese dhe të sigurisë që të jenë në monitorim të gjendjes në terren”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas njoftimit kjo ministri  ka nxjerrë në terren trupa inspektues që punojnë me orar të zgjatur për të zbatuar urdhrin e Qeverisë për ndalimin e punës për lokalet, pubet dhe kafiterit, por edhe për fryrjen e çmimeve nga bizneset.

“Këto trupa janë duke kryer kontrolle të vazhdueshme për të siguruar rregullsinë në treg dhe zbatimin e masave në marrëdhënien punëdhënës – punëmarrës, ndër tjera, duke penguar shitjen e produkteve me çmime të fryra, apo me deklaracion të gabuar, ose data të skaduara. Ne jemi për të penguar këdo që tenton të përfitojë nga gjendja e rrezikut të krijuar”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu ministria ju kujton se kompanitë janë urdhëruar që duhet t’i përshtatin operacionet e tyre, ashtu që, sa më shumë aktivitete punonjësit t’i kryejnë nga shtëpia.

“Komunalitë, furnizuesit, shërbimet financiare, ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të sigurojnë shërbime në masë të domosdoshme, me orar e staf të reduktuar, duke u siguruar që sa më shumë operacione t’i drejtojnë drejt kanaleve elektronik”, thuhet tutje në njoftim.

Poashtu në njoftim, bëhet thirrje që të mos krijohen radhë për tu furnizuar dhe të punohet me staf të reduktuar.

“Mos të dyndemi nëpër pika të shitjeve, të sigurojmë se mbajmë distancë, së paku një metër, nga tjetri dhe këtë ta sigurojnë edhe menaxherët e pikave të shitjes, duke mbajtur radhën”, thuhet aty.

Ministria e Tregtisë ka kërkuar asistencë e Policisë së Kosovës për trupat përkatëse inspektues që gjenden në terren, në rast nevoje.

“Qytetarë të nderuar, mos dilni jashtë shtëpive tuaja, vetëm në rastet kur e keni të domosdoshme dhe detyrimisht t’u referoheni udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët mund të thërrasin në numrat pa pagesë: 0800 11 000 dhe 0800 77 5 77, për lajmërime për treg dhe punë, përkatësisht”, theksohet në njoftim.

Në Kosovë aktualisht janë 5 raste të prekura nga coronavirusi. Qeveria dje ka urdhëruar kompanitë private që ta organizojnë punën në mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia. Po ashtu janë mbyllur kufijtë për qytetarët që hynë në Kosovë si dhe janë anuluar të gjitha aktivitete kulturore.

Konfirmohen dy raste me coronavirus në Kosovë