Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Tregtisë nuk e konfirmon dorëheqjen e u.d. sekretarit, thotë se është në pushim vjetor

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk ka konfirmuar dorëheqjen e u.d. sekretarit të këtij institucioni, Arbër Gegaj, ndonëse mediat janë duke raportuar që një gjë e tillë ka ndodhur javën e kaluar.

Sipas Ministrisë, i njëjti është në pushim vjetor deri më datën 22 gusht dhe vendimin për pushim e ka nënshkruar vet ministrja Rozeta Hajdari.

“Z.Gegaj është në pushim vjetor, ashtu siç e përcakton ligji nga data 29 korrik 2022 deri më 22 gusht 2022. Kërkesa e pushimit i është miratuar nga ministrja Hajdari. Z.Gegaj është emëruar më 06.05.2022 në pozitën e zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të MINT dhe si çdo nëpunës i institucioneve të Republikës së Kosovës e ka të drejtën e pushimit” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Mediat kanë raportuar se Gegaj ka dhënë dorëheqje për shkak të një mosmarrëveshjeje me ministren Rozeta Hajdari, në lidhje me një tender.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe ministren Hajdari dhe e njëjta nuk ka pritur as t’i parashtohet pyetja me arsyetimin se është në një takim.

“Po më thirrni në numra të telefonit, gjithmonë kur jam në takime. Thirre Uliksin. Faleminderit” – ka përfunduar Hajdari.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me u.d. sekretarin Gegaj, por deri më tash nuk ka arritur të marrë asnjë përgjigje.

Gegaj është emëruar në këtë pozitë tre muaj më parë.