MInistria e Shëndetësisë u dhuron maska mbrojtëse disa institucioneve e organizatave

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se me qëllim që të ndihmojë në përballimin e pandemisë COVID-19 ka  ndarë për disa institucione të vendit një numër simbolik të maskave mbrojtëse për personelin e tyre.

Sipas komunikatës, gjatë ditës, disa institucione i kanë pranuar këto maska mbrojtëse, derisa disa të tjera ato do t’i pranojnë nesër.

Maskat janë ndarë për Bashkësinë Islame të Kosovës 500, Ipeshkvinë e Kosovës 250, Rektoratit të UP-së 500, Këshilli Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial nga 150 maska.

“Në këtë aktivitet që ndër të tjera synon edhe të promovojë bartjen e maskës si një masë mbrojtëse të drejtpërdrejt për qytetarët e vendit pavarësisht se në çfarë institucioni apo organizatë shërbejnë, do të përfshihen edhe institucione të tjera”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të gjitha qytetarët të bartin maska për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë objekteve të tyre të banimit si dhe të mbajnë distancë fizike 2 metra.

Gjithashtu me këtë vendim, Qeveria obligon të gjitha institucionet publike dhe private që të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objekteve.

Një person që nuk do të bartë maskë jashtë shtëpisë së banimit mund të dënohet me 500 euro.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com kryeinspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku.

Sipas Tërshnjakut sot ka qenë dita e parë e inspektimit për bartjen e maskës dhe sipas tij, inspektorët dhe policia janë habitur me numrin e personave që kanë qenë duke bartur maskë.