
Ilustrim
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve: Vlojeni ujin para përdorimit!
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vlojnë ujin para përdorimit si masë e sigurisë.
MSH thotë se kjo procedurë është e thjeshtë por e domosdoshme për të parandaluar shpërthim të epidemive hidrike.
“Uji para përdorimit patjetër të vlohet si masë e sigurisë bakteriologjike e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar në resurse për të parandaluar shpërthimin e epidemive hidrike. Kjo procedurë e vlimit të ujit është aq e thjeshtë dhe e zakonshme, por e domosdoshme për të parandaluar shpërthime epidemike”- thuhet në njoftim.
Ministria u sugjeron qytetarëve të shfrytëzojnë resurset e sigurta ose ujin e ambalazhuar.
Sipas njoftimit, si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit, situata me ujë të pijes është vështirësuar ndërsa ekipet e IKSHPK-së janë në monitorim të pandërprerë.
“Si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë situata me ujë të pijes është vështirësuar dukshëm. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse. Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes”- bëhet e ditur në njoftim.
Më tej, Ministria thotë se të gjitha qendrat rajonale të shëndetit publik janë në gjendje gatishmërie dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve.
“Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve”- thuhet në njoftim.
Vërshimet që nisën të enjten e javës së kaluar kanë lënë pasoja të shumta në qytete të ndryshme të Kosovës.
Shtepi, vetura, rrugë të përmbytura janë parë në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë, Istog e qytete tjera në Kosovë.
Pas dëmeve, disa komuna kanë themeluar fond për fondacione në mënyrë që tu dalin në ndihmë qytetarëve që pësuan nga vërshimet.
Këto janë te dhënat e përditësuara nga Ministria e Shëndetësisë, në zonat të cilat ka vështirësi të trajtimit të ujit:
– KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj mbetet jashtë funksionit.
Fabrika në Drenas vazhdon me trajtimin e ujit me kapacitet të zvogluar.
Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.
Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.
Rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.
-KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit.
Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë brenda standardeve.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,3mg-0,4mg/L në tërë zonën e shërbimit.
Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit.
-KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Vlerat e turbullirës dukshëm janë zvogëluar në të gjitha burimet.
Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike rezultojnë brenda standardeve.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,1mg-0,4mg/L
Analizat bakteriologjike në Klinë dhe Junik janë jashtë standardeve.
Rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit.
-KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës:
Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë.
Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,3mg-0,35mg/L.
Furnizimi në Zao,1qishtë rezulton me kontaminim bakteror.
Rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit.
-KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë, Kaçanik, Hani Elezit, Shtërpcë të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Ferizaj dhe Kaçanik janë brenda standardeve për ujin e pijes.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,1-0,3mg/L.
Rekomandohet që uji para përdorimit të vlohet.
-KRU “Hidromorava”- Rajoni Gjilan:
Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes.
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.
Në Letnicë-Viti ka filluar trajtimi si ujë teknik, andaj rekomandohet qytetarët të mos e pijnë ujin.
Rekomandohet KRU “Hidromorava” të furnizojë qytetarët me ujë të pijshëm.
-KRU “Hidroregjioni jugor”- Rajoni Prizren:
Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3 mg/L.
Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP Prizren janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.