Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vendit të aplikojnë për marrjen e vaksinës përmes platformës elektronike “eKosova”, ku sipas tyre, aplikimi është thjeshtëzuar.

Ministria ka bërë thirrje që personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe (18+), që të aplikojnë për vaksinim, duke e plotësuar rubrikën “sëmundje kronike” në aplikacion.

Të njëjtit, pastaj, do të kontaktohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe qendrat e vaksinimit nëpër komuna për t’u vaksinuar sipas termineve që do t’u caktohen.

Ndërkaq, kanë ripërsëritur procedurat e regjistrimit dhe aplikimit për vaksinën kundër COVID-19 në platformën eKosova

Procedura se si të përdoret shërbimi “Aplikimi për vaksinim kundër COVID-19” veçse është publikuar kohë më parë në eKosova dhe gjendet në vegzën:  https://ekosova.rks-gov.net/Video/Hn2SJJlZppw

dhe njëkohësisht duke klikuar vegzën “Shiko video udhëzuesit” që gjendet në faqen e parë tek eKosova.

Procedura e shkruar se si të përdoret shërbimi “Aplikimi për vaksinim kundër COVID-19” është:

Hapet platforma eKosova duke shënuar adresën https://ekosova.rks-gov.net/,

Klikohet mbi “Shërbime”,

Klikohet mbi “Shëndetësia”,

Klikohet mbi “Aplikimi për vaksinim kundër COVID-19”,

Plotësohet fusha “Profesioni” dhe vendoset tiku mbi fushën “Keni sëmundje kronike?” nëse aplikuesi ka sëmundje kronike,

Klikohet mbi “Apliko”.

Procedura e shkruar se si të përdoret shërbimi “Aplikimi për vaksinim kundër COVID-19 për persona tjerë” është:

Hapet platforma eKosova duke shënuar adresën https://ekosova.rks-gov.net/,

Klikohet mbi “Shërbime”,

Klikohet mbi “Shëndetësia”,

Klikohet mbi “Aplikimi për vaksinim kundër COVID-19 për persona tjerë”,

Plotësohen fushat “Numri personal i aplikuesit”, “Profesioni i aplikuesit”, “Numri i telefonit të aplikuesit” dhe vendoset tiku mbi fushën “Ka sëmundje kronike?” nëse personi për të cilin aplikoni ka sëmundje kronike,

Klikohet mbi “Apliko”.

Për të dy shërbimet e mësipërme, ngarkimi i dokumenteve-fotografive nga qytetari nuk është i obliguar.