Foto: REL/Reuters

Ministria e Shëndetësisë shpjegon procedurat që duhet ndjekur personat që hynë në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka shpjeguar procedurat për çdo person që hyn në Kosovë përmes kufijve tokësorë.

Sipas Ministrisë, kriter për lejimin e shtetasve të Kosovës, atyre të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë, apo shtetas të vendeve të tjera që duan të futen në Kosovë është se duhet të nënshkruajë deklaratën për 7 ditë vetizolim në kushtet e shtëpisë së tyre apo aty ku do të qëndrojnë.

Tutje, në komunikatë thuhet se nga ky rregull përjashtohen ata të cilët me rekomandim të autoriteteve përkatëse që i janë nënshtruar testit në katër ditët e fundit, para paraqitjes në kufi.

“Në rekomandimin e fundit IKSHPK rekomandon që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e menaxhimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve, sepse e veçanta e Kosovës është se nuk ka kapacitete shëndetësore për të përballuar një shpërthim epidemiologjik”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë e ka bërë të ditur edhe një herë se laboratori i tyre ka shumë pak mjekë që kryejnë testimet dhe ka pak epidemiologë e mikrobiologë, ndërsa Klinika Infektive ka vetëm 126 shtretër për rastet e prekura nga sëmundja COVID-19.