Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë shpenzon edhe gjysmë milioni euro në barna për trajtim të COVID-19

Ministria e Shëndetësisë është furnizuar me 11 lloje të barnave për trajtimin e personave me COVID-19 që i kanë kushtuar 438 mijë e 996 euro.

Por, kjo ministri nuk ka arritur të furnizohet me të gjitha barnat që i kishte listuar në tenderin “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-Virus” për të cilat kishte planifikuar të shpenzonte 960 mijë e 481 euro për një furnizim 3 mujor.

Për 24 lloje të barnave, Ministria e Shëndetësisë i ka anuluar lotët për shkak të mungesës së ofertave apo kishte pranuar oferta që tejkalonin buxhetin e paraparë nga kjo ministri.

Ministria e Shëndetësisë ka blerë nga kompania “LEGO”, nëntë nga barnat e kërkuara, 4,295 copë Tazocin në vlerë prej 23 mijë e 198 euro, 12,490 copë Vancomycin në vlerë prej 18 mijë e 485 euro, 33,670 copë Pantoprazol në vlerë prej 47 mijë e 474 euro, 4, 600 copë Aminosteril në vlerë prej 29 mijë e 808 euro, 2, 750 copë Nutriflex ushqim parenteral në vlerë prej 151 mijë e 259 euro, 27, 625 copë Paracetamol 1000mg në vlerë prej 59 mijë e 670 euro, 20, 951 copë Analgin 500mg në vlerë prej 50 mijë e 282 euro, 4,000 copë Sedativët Propophol 200mg 200mk në vlerë orej 11 mijë e 200 euro, 1,040 copë Etomidat 200mg 10ml në vlerë prej 15 mijë e 600 euro.

MSh nga kompania “Agani L.t.d” ka blerë, 16,055 copë Morphina 20 mg 1 ml në vlerë prej 16 mijë e 55 euro.

Nga kompania “LIRI MED” MSh ka blerë 27,060 copë Fentanyl 0.1 mg 2 ml në vlerë prej 15 mijë e 965 euro.

Barnat e blera kapin vlerën prej 438 mijë e 996 euro.

Dhjetë barna nuk janë blerë për shkak se kompanitë kishin ofertuar me vlera më të mëdha se sa buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministria nuk ka blerë, Lopanivir, Noradrenalin, Dobutamin, B-Bllokator- metoprolol, Imipenem, Glucosae 5% 500ml, Glucosae 10% 500ml, NACl 0.9% 500ml, Fresubin ushqim enteral dhe Thiopentali 500mg

Në MSh nuk ka oferuar askush për baret Tamiflu, Hydroksichlorochina, tableta Vitamin C, tableta Paracetamol, Dopamin, Colistine, NACl 0.45% 500ml, NACl 3% 500ml, Diclofenak 75mg 3 ml, Bronhodilatator- sallbutamol, Bronhosekretolitik – Bisolvon 4 mg/ml, Bronhosekretolitik – Bisolvon sol 50 ml dhe Adrenalina 1mg 1ml.

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka blerë 10 mijë pako Tamiflu përmes një tenderi me procedurë emergjente.

Bari Midazolam 15mg 3ml nuk është blerë për shkak se nuk është përputhur doza e produktit me ato që i ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë.