Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë: Qendra Operative Emergjente nuk bën transportin e personave të vdekur nga COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se Qendra Operative Emergjente e MSh-së (QOE) lidhur me COVID -19 nuk bën transportin e personave të vdekur nga COVID-19, por e bën ndërlidhjen e shërbimeve të ndryshme të përfshira në menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Qendra Operative Emergjente e MSh-së, në çdo rast të vdekjeve të konfirmuara nga Covid-19 dhe të dyshuara në Covid-19, duhet të informohet nga SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme), të cilat janë të obliguara që deri në kryerjen e procedurave të varrimit, kufomën  ta dërgojnë në morg”, thuhet në njoftim

Ata kanë thënë se i tërë procesi monitorohet nga Inspektorati Sanitar dhe Policia e Kosovës.

Ndërsa, për rastet e vdekjeve të dyshuara nga COVID-19 dhe për të cilat duhet pritur rezultati nga IKSHPK, kufomat dërgohen në morg deri në konfirmim të rezultatit laboratorik.

Ky reagim ka ardhur pas një lajmi se një kufomë nga COVID-19 ka qëndruar me orë në spital.

Sipas, MSh-së Qendra Operative është informuar e fundit, ndërsa është dashur të informohet e para nga spitali ku pacienti ka ndërruar jetë.

“Megjithatë, QOE, pas marrjes së informatës nga Qendra Operative e MPB-së menjëherë e ka adresuar rastin” thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se QOE ka përgjegjësinë për koordinimin e procedurave të varrimit, por jo për menaxhimin e kufomave brenda institucioneve shëndetësore.