Foto ilustruese e ilaçeve nga Iliana Kirilova

Ministria e Shëndetësisë për herë të parë do të blejë ilaçin Pancrelipase për pacientët me fibrozë cistike

Ministria e Shëndetësisë ka anuluar blerjen e produktit Dornase alpha cili përdoret për të reduktuar numrin e infeksioneve të mushkërive dhe për të përmirësuar funksionin e mushkërive te pacientët me fibrozë cistike, kurse për herë të parë do të blejë produktin Pancrelipase, që trajton këtë sëmundje.

Ky anulim është bërë për shkak se në tenderin mbi 3 milionë eurosh nuk ka aplikuar asnjë operator i përgjegjshëm për këtë produkt.

Ndonëse është anuluar blerja e këtij produkti, ministria do të blejë edhe gjashtë produkte të tjera për trajtimin e sëmundjeve të rralla.

Sipas njoftimit, për këtë tender janë parashikuar 3 milionë e 154 mijë e 297 euro, dhe vetëm produkti Dornase alpha sol 2.5ml mg është paraparë të kushtojë 581,400 euro.

Ministria këto produkte do t’i blejë me këste, ndërsa blerja e produkteve do të bëhet me porosi.

Me anë të kësaj kontrate, ministria do të blejë Interferon beta 1a 22mcg që do të kushtojnë 208,310 euro; Interferon beta 1a 44mcg që do të kushtojnë 565,286 euro; Ocrelizumab koncentrat për infusion 300mg 10ml që do të kushtojnë 630,000 euro; Imiglucerase flakon 400 UI që do të kushtojnë 997,660 euro; Pancrelipase Caps 25,000 UI që do të kushtojnë 129,640 euro; Pancrelipase Caps 10,000 UI që do të kushtojnë 42,000 euro.

Për blerjen e Interferon beta 1a 22mcg dhe Interferon beta 1a 44mcg, Ministria e Shëndetësisë ka shpërblyer operatorin ekonomik Pharma Leader. Për blerjen e Ocrelizumab koncentrat për infusion 300mg 10ml Ministria ka shpërblyer me kontratë operatorin Meditech. Për blerjen e Imiglucerase flakon 400 UI operatorin Alk & Kos Pharmaceuticals dhe për blerjen e Pancrelipase Caps 25,000 UI dhe Pancrelipase Caps 10,000 UI, Ministria ka shpërblyer operatorin ekonomik IMED Sh.P.K.

Interferoni beta-1a dhe Ocrelizumab përdoren për trajtimin e sklerozës multiple.

Imiglucerase është një ilaç që përdoret në trajtimin e sëmundjes së Gaucher – sëmundja Gaucher është një çrregullim i rrallë gjenetik i transmetuar nga prindërit te fëmijët (i trashëguar).

Pancrelipase është ilaç që përdoret për pacientët me fibrozë cistike.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se produktin Pancrelipase për herë të parë do ta sigurojë ky institucion pasi që deri më tash ky produkt është siguruar vetëm përmes donatorëve.

“Te sëmundjet e rralla, më 2022, për herë të parë Ministria e Shëndetësisë, ka nisur procedurat për sigurimin nga ana e saj të produktit Pancrelipase që përdoret të pacientët me fibrozë cistike, i cili me parë është siguruar përmes donatorëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu në përgjigje Ministria ka njoftuar se edhe blerja e Dornase alpha ishte nisur për herë të parë nga kjo ministri.