Ministria e Shëndetësisë nuk licencon laboratorin privat, i cili pretendoi se mund të kryejë teste për COVID-19 

Bordi për licencimin e institucioneve private shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka licencuar laboratorin privat në Prishtinë, i cili ka pretenduar se mund të kryejë teste rapide për COVID-19.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në një përgjigje pë KALLXO.com, nga ekspertët e  fushës janë dhënë rekomandimet se testimi joadekuat mund të mos detekton pacientet me infeksion aktiv ose të kategorizon gabimisht personat që mund të kenë infeksion kur nuk e kanë, duke vështirësuar në këtë mënyrë përpjekjet për kontrolle të sëmundjes, testet rapide të mos përdoren për diagnozën e sëmundjes COVID-19.

“Bordi për licencimin e institucioneve private shëndetësore duke u bazuar në opinionet dhe rekomandimet e ekspertëve të fushës përkatëse, për shkak të situatës së krijuar dhe me qëllim të kontrollës së sëmundjes/menaxhimit të pandemisë në nivel vendi, ka vendosur që të mos lejoj përdorimin e testeve rapide për COIVID 19 në situatën e tanishme në Institucionin Privat Shëndetësor gjegjësisht në Laboratori Mjekësor Biokimik-Hematologjik & Laboratori i Mikrobiologjisë Klinike “AVICENA–KS“ ( adresa Rr. Radovan Zogoviq H-V, A5,LO1, Dragodan, Prishtinë)”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Ministria e Shëndetësisë tutje thotë se udhëheqës institucional për testime në Kosovë duhet të jetë IKSHPK, bashkë me institutet rajonale të tij apo në këtë komponentë mund të përshihen dhe të kontribuojnë edhe QKMF.

“Testet rapide janë të arsyeshme të bëhen edhe në Kosovë por ato nuk do të përdoren për diagnozën aktuale të sëmundjes, por për hulumtimin mbikëqyrës serologjik e cila informatë mund të  ndihmon të marrjen e vendimeve pasuese në menaxhimin e pandemisë në nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e MSh për KALLXO.com.

Sipas Organizates Botrore të Shëndetësisë është rekomanduar përdorimi i testeve të reja imunodiagnostike në pikat e kujdesit shëndetësor vetëm në institucionet kërkimore-shkencore dhe ato nuk duhet të përdoren në ndonjë institucion tjetër, as për vendimmarrje klinike, deri sa të ketë dëshmi shkencore që mbështesin përdorimin për indikacione specifike.

Po ashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë aktualisht nuk rekomandon përdorimin e testeve diagnostikuese të shpejta me bazë në antigjen, për kujdesin ndaj pacientit. Por, inkurajon hulumtimin shkencor për performancën e tyre dhe potencialin e mundshëm diagnostik si dhe nuk rekomandon përdorimin e testeve të shpejta diagnostikuese të zbulimit të antitrupave për kujdesin ndaj pacientit. Por, inkurajon vazhdimin e punës për të përcaktuar dobinë e tyre në mbikëqyrjen e sëmundjes dhe hulumtimet epidemiologjike.

KALLXO. com ka raportuar se Laboratori Avicena-ks, i cili pretendon se mund të kryejë teste, ka njoftuar se tashmë ka filluar terminet për testet për COVID-19, por një gjë e tillë nuk është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Laboratori ka njoftuar se tashmë është furnizuar me teste dhe do të mund të kryejë 50 të tilla në ditë me çmim nga 20 euro secila.

Laboratori tutje ka thënë se terminet mund të bëhen në një numër telefoni dhe vetëm pas terminit do të mund të shkojnë ta kryejnë testin.

“Avicena-ks u furnizua me teste për detektimin e Covid-19. Kapaciteti është deri në 50 teste në ditë me çmim nga 20€. Testimi kryhet vetëm me një termin të caktuar, që bëhet paraprakisht përmes numrit të telefonit 049 356 888, që është në dispozicion në intervalin kohor 08:00-20:00. Pacientët që nuk kanë caktuar termin për testim nuk do të pranohen për marrjen e mostrës. Pacientët që do të vijnë për testim duhet të mbajnë maskë mbrojtëse. Testi që përdoret është test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave IgG dhe IgM të krijuara nga koronavirusi (COVID-19). Me përdorimin e kombinuar të testit IgG dhe IgM mund të detektohet prezenca e infeksionit virusal ose kontakti paraprak me infeksionin virusal përmes statusit imunologjik të trupit”, thuhet në njoftimin e laboratorit të publikuar në ueb faqen e tyre.

Edhe në Ligjin për Shëndetësi, veprimtaria private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues), ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit.

Laboratori Avicena-ks në anën tjetër kishte njoftuar për qytetarët se testimi kryhet përmes marrjes së mostrës së gjakut, ndërsa procedura e testimit nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Mostrat e testimit të Covid -19 merren në një hapësirë speciale të ndarë tërësisht nga pjesa tjetër e laboratorit me qëllim të sigurisë dhe mbrojtjes maksimale.

Coronavirus, Laboratori në Prishtinë shpallë se për 20 euro kryen testet

.