Ministria e Shëndetësisë nuk i arkëtoi as nuk i dërgoi te përmbaruesi 9 mijë euro gjoba

Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka dërguar asnjë lëndë te përmbaruesi ndonëse ka një marrëveshje të tillë me Odën e Përmbarueseve Privat.

Kjo është bërë e ditur në raportin e auditimit për këtë ministri nga Zyra Kombëtare e Auditimit, të cilët kanë thënë se Ministria në dy raste nuk ka grumbulluar gjobat dhe të njëjtat nuk i ka dërguar te përmbaruesi.

“Në janar të vitit 2022 është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes ministrit të Shëndetësisë dhe Kryetarit të Odës së Përmbarueseve Privat por deri në kohën sa kemi qenë në auditim (shkurt 2022) nuk ka filluar dërgimi i lëndëve tek përmbaruesit”, thuhet në raport.

Sipas raportit të ZKA-së, dy gjoba në vlerë prej 9 mijë euro nga Inspektorati Farmaceutik dhe ai Shëndetësor nuk ishin arkëtuar brenda afatit prej tetë ditësh në pajtim me vendimin e lëshuar.

Gjoba në vlerë 8 mijë euro ishte lëshuar më 15 shtator 2021 nga Inspektorati Shëndetësor ndërsa pagesa nuk është kryer edhe përkundër skadimit të afatit prej 8 ditësh; dhe gjoba në vlerë 1 mijë euro ishte lëshuar me datë 22 janar 2021 nga Inspektorati Farmaceutik ndërsa pagesa nuk ishte kryer edhe përkundër skadimit të afatit prej 8 ditësh.

Sipas Auditorit, mosrkëtimi i të hyrave nga gjobat brenda afatit rezulton në arkëtimin e ulët të të hyrave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe si rezultat ndikon edhe në rritjen e borxheve dhe mosrealizimin e objektivave nga Inspektorati Farmaceutik dhe Shëndetësor.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë që të zbatojë marrëveshjen dhe në të gjitha rastet kur inkasimi nuk kryhet në kohën e duhur lëndët duhet të procedohen te përmbaruesi në mënyrë që të hyrat të inkasohen sa më parë.

Në vendimet për gjobë të lëshuara nga Inspektorati Farmaceutik dhe Inspektorati Shëndetësor, ishte përcaktuar që pagesa e gjobës duhet të bëhet në afat prej tetë ditësh nga dita e pranimit  të vendimit.